Nuk i duhej Vila Partizanit? i jep fitoren Skënderbeut në Kamzë

Skandalet janë pjesë e klubit prej vitesh dhe mund të paguhen shtrenjtë, por sidoqoftë Skënderbeu ka një skuadër vërtet të rrallë në Superligën shqiptare. Në një sfidë tepër të vështirë në fushën e Kamzës, vetëm pak ditë pas lajmeve për një përjashtim të mundshëm 10-vjeçar nga kupat e Europës, korçarët dhanë një provë të madhe karakteri.

Triumfuan 2-1 në fushën e asaj skuadre që i kishte marrë dy barazime, ndërsa diferencën të paktën për golat e bëri një futbollist i larguar si i padëshiruar nga Partizani.

Emiliano Vila shënoi dy golat dhe skuadra e Ilir Dajës fitoi me përmbysje duke vazhduar të jetë i shkëputur ndjeshëm në krye të renditjes.

Në një kohë që Partizani po vuan për të shënuar golat, rrjeta tjetër në stadiumin e Kamzës, ajo e vendasve, u shënua nga një tjetër futbollist i larguar nga të kuqtë. Realdo Fili kaloi në epërsi skuadrën e trajnerit Ndreu, avantazh që nuk u arrit të shfrytëzohej deri në fund.

Kryesuesit e kampionatit patën epërsi të madhe pas pësimit të golit duke iu afruar shpesh barazimit, pra duke mos u dorëzuar për asnjë moment.

Gjithsesi, pas epërsisë 2-1, korçarët u detyruan të përballonin reagimin e vendasve që fare mirë mund të kishin barazuar.

Me këtë sukses, Skënderbeu u ngjit në nivelin e 46 pikëve, duke iu afruar gjithnjë e më shumë objektivit kryesor të sezonit, titullit kampion, edhe pse duhen edhe 16 javë deri në përfundim të Superligës.

Sfidanti.al