Barcelona dhe penalltia, një binom që nuk mund të ekzistojë!

Kur thua Barcelonë ke thënë edhe lojë të bukur, edhe gola të shumtë, edhe trofe pa hesap, por asnjëherë nuk ke thënë “penallti kundër”. Kjo, të paktën, vlen për 2 vitet e fundit kalendarikë, gjatë të cilëve katalanasit nuk janë shqetësuar për asnjë moment nga gjyqtarët. Ishte dita e të dashuruarve, 14 shkurti i vitit 2016, kur Barça priti Seltën në “Kamp Nou”, në ndeshjen e radhës së La Ligës spanjolle.

Gjyqtari Alehandro Hernandez do të mbahet mend për shumë kohë, sepse pati guximin të jepte 11-metërsh për Seltën, pra kundër Barçës. Sulmuesi Xhon Gudeti nuk gaboi nga pika e bardhë e penalltisë duke i shënuar portierit Klaudio Bravo. Që nga ajo mbrëmje janë mbushur thuajse “cak” dy vjet dhe “rubineti” është mbyllur. Asnjë arbitër nuk ua ka prishur qejfin “azulgranëve”, ndonëse ka pasur shpesh herë pretendime.

Është vërtet diçka e rrallë, ndërsa në 76 javë kampionati që janë zhvilluar, kundër Realit janë dhënë 8 penallti, kundër Atletikos janë dhënë 7, ndërsa skuadrat më të “masakruara” janë Valencia dhe pikërisht Selta e Vigos me nga 18 penallti në disfavor.

Sfidanti.al