Ju kujtohet Jemini, sa  thërriste nga ekrani: “ Tani.. jam i lirë, jam i lirë!”

Jam i lirë ! Tani, jam i lirë! Këto janë fjalët e tigëllueshme të Lorenc Jeminit  kur do të niste karrierën si maviolist, pasi e kishin çarmatosur nga stema e FIFA-s dhe bilbili i gjykimit.  Ata që dëgjuan thirrjen e tij nga ekrani besuan se Jemini,  pas tradhëtisë së klasit të lartë që i kurdiste shefit dhe për të cilën e pagoi, më së fundi,   do të vendoste dorën e betimit mbi “biblën e lojes”. Mjerë ata që besuan se nga goja e arbitrit më të mirë do të mësonin  bëmat e padëgjuara me muzikën funebre te bilbilit. Madje kishte edhe nga ata që besuan se Lorenci do të kishte një shpërthim të madh pendese sa do të tregonte fije për pe të gjitha ndeshjet e mëkatit. Ato që përfliten si betejat më të kushtueshme në bursën e futbollit tonë. Pikërisht ato ndeshje, për të cilat pronari i arbitrave, presidenti  uzurpues,  i kishte thënë fjalët  që u gdhendën në murin e gabimeve njerezore: “ Ti je ai që i nxjerr ndeshjet me kokën tënde dhe jo me kokën time..”

Si me magji,, mu  në prag të Asamblesë, ku futbolli gëlltit çorbën dhe e vjedh për 4 vite, ku edhe ndeshjet e Superligës keqpërdoren për trafikun e votave,  vjen lajmi i paralajmëruar me kambanë arbitrash se Lorenc Jemini do të rishfaqet në fushë.  Fillimisht me maskën  e vëzhguesit, më pas, nëse pendesa do të jetë pikante, nëse do të mbajë mbi shpatulla një kokë tjetër dhe jo kokën e tij, atëherë,  do të ketë fatin të fitojë “lirinë” e plotë, ate me stemën e FIFA-s në gjoks dhe bilbilin këndonjës në gojë.  Një bilbil krejt nryshe, që do të ketë formën e biberonit, ku qumështin do ta marrë me gramaturë, ndryshe nga  ç‘ishte mësuar  të kullufiste me oreksin e tij.

Sfidanti.al