“Prekja magjike” e Hajnkesit, Tomas Myler shënon dy gola

Robert Levandovski normal që mund të shënojë dy herë në një ndeshje, por për të gjetur se kur e ka bërë këtë Tomas Myleri, duhet të lodhemi pak duke kërkuar. Tashmë jo më, pasi hera vërtet e fundit ishte sot në portën e Verderit, duke ndihmuar Bajernin në një fitore jo edhe aq të lehtë.

Suksesi në “Alianc Arena” u arrit me shifrat 4-2, dhe duket se “prekja magjike” e Jup Hajnkesit po bën të vetën. Përveç dy golave të Levandovskit, erdhën edhe dy të Mylerit, që e kishte humbur fare nuhatjen për golin (si edhe pozicionin në fushë) kur ekipi drejtohej nga Karlo Ançeloti.

Njëzetetetëvjeçari, i rilindur nga Hajnkesi, arriti në kuotën e 100 golave në Bundesligë në karrierë, që të gjithë me bavarezët. Trajneri i Gjermanisë, Lëv, e ka cilësuar Mylerin si “të pathyeshëm nga presioni”, ndërsa vetë Tomasi e ka quajtur veten “interpretues të ëndrrave” (që do të thotë shfrytëzues i hapësirave pranë portës kundërshtare). Tashmë, ai ka nisur sërish t’i interpretojë ëndrrat në ndeshjet për Bajernin.

Ndryshe nga fitorja që ishte e vështirë, kryesimi i Bundesligës duket shumë i lehtë për Bajernin, që ka 47 pikë pas 19 ndeshjeve, pra duke qenë shumë i shkëputur nga ndjekësit si Shalke, Leverkuseni, Lajpcigu, Mynshengladbahu apo Dortmundi.

Sfidanti.al