“Shpërthimi atomik” i Realit, 7 gola për të bindur veten dhe Ronaldon që janë gjallë!

Një fillim i tillë ishte si vazhdimi i së keqes. Reali pësoi shpejt gol në “Santiago Bernabeu”, ndërsa Deportivo kaloi në epërsi si për të treguar se kriza madrilene vazhdonte. Të paktën, për herë të parë pas kaq kohësh, e vërteta ishte krejt ndryshe. Formacioni i trajnerit me pozita të lëkundura, Zinedin Zidan, realizoi një përmbysje të jashtëzakonshme, me një shpërthim që pati si rezultat shënimin e 7 golave.

Papritur Reali u duk ai i vitit të kaluar, që shënonte me të gjithë lojtarët e tij. Dy herë realizoi mbrojtësi Naço, dy herë edhe talenti i pafat Garet Bejl, dhe një herë mjeshtri kroat i mesfushës, Luka Modriç. Sidoqoftë, “Bernabeu” u lumturua gjithashtu shumë nga dy rrjetat e atij që nuk e linte dot prapa krizën, Kristiano Ronaldos. Portugezi qe i saktë dhe shpreson të jetë edhe në Ligën spanjolle, ai që ka qenë në Champions.

Natyrisht, as kjo fitore tepër e thellë nuk mund të thuhet se ndryshoi gjendjen për Madridin. Barcelona mbetet ende shumë larg dhe 7 golat e shënuar u dukën më shumë si një përpjekje për të bindur veten sesa për t’u kthyer tek pretendimet. Gjithsesi, me aq shumë talent në skuadër, Reali mund të jetë i rrezikshëm në çdo moment, dhe këtë sezon ende ka objektiva të mëdhenj.

Sfidanti.al