Kevin Durant, supertalenti që arrin 20 000 pikë para legjendave!

Duheshin më pak se dy minuta deri në gjysmën e ndeshjes. Publiku në Arenën e Oklendit dhe miliona që ishin para televizorit, ndoqën momentin kur Kevin Durant shënoi një kosh që do të mbetet në kujtesë. Ylli i Golden Stejtit arriti kuotën e 20 000 pikëve në karrierë në NBA, i dyti më i riu në historinë e kampionatit që ia del, pas yllit Lebron Xhejms.

Durant ishte 29 vjeç e 193 ditë në mbrëmjen kur po luante ndaj Los Anxhelos Klipersave, ndërsa ylli i sotëm i Klivlendit mban rekordin me 28 vjeç e 17 ditë. Sidoqoftë, supertalenti ka lënë pas gjigandë të tjerë si Kobi Brajant, Uilt Çembërlen apo Majkëll Xhordan.

A do të mundet Durant që të afrohet me majën e renditjes së shënuesve për të gjitha kohët? Ndoshta, por gjithçka do të varet nga shëndeti dhe ambicia e tij për t’ia dalë, ndërsa jep shpresë fakti se shënuesi më i mirë i NBA-së, Karim Abdyl Xhabar, nuk ka qenë ndër më të rinjtë që ka shënuar 20 000 pikë.

Në sfidën ndaj Klipersave, ai zhvilloi një ndeshje vërtet të madhe. Shënoi 40 pikë, kapi 4 topa në tabela, shërbeu 4 asistë dhe bllokoi katër gjuajtje të kundërshtarëve, duke qenë më i miri i sezonit në elementin e fundit.

Gjithsesi, heroizmi i tij nuk mjaftoi pasi Golden Stejti humbi. Los Anxhelos Klipers triumfuan jashtë fushe 125-106, falë një paraqitjeje të madhe të Lou Uilliamsit që shënoi 50 pikë dhe shërbeu 7 asistë. Për kampionët dhe kryesuesit e kampionatit ndikoi padyshim për keq fakti që Stefën Kërri nuk luajti për shkak dëmtimi, ndërsa kapiteni Klej Tompson po ashtu nuk luajti sepse u la pushim.

Sfidanti.al