Pse vetëm Kupa e Anglisë, edhe ajo e Ligës mund të trondisë

Kun Aguero vërtet i theu zemrat e tifozëve të Bristol Sitit, por skuadra e kategorisë së dytë angleze ende ka shpresa dhe shanse se mund të shkojë në një finale në Uembli. Disfata 1-2 në “Etihad” nuk e eleminoi “hirushen” e Kupës së Ligës, pasi Mançester Sitin do ta presë në stadiumin e vet në 23 janar, për ndeshjen e dytë dhe përcaktuese.

Ishte po ky Bristol Siti që eleminoi gjigandin më të madh të Mançesterit, Junajtidin e Murinjos (që tani është në Lindjen e Mesme nën rrezet e diellit), dhe që beson se mund të shkaktojë një të papritur edhe më të madhe. Madje, ishin miqtë që shënuan të parët në Arenën e Mançesterit me anë të Bobi Reidit me penallti në 44’. Kevin De Brujn barazoi në 55’ dhe Kun Aguero shënoi golin e fitores në minutat shtesë për formacionin e Pep Guardiolës, që kishte disa ndryshime, por nuk ishte fare pa titullarë. Stouns, Danilo, De Brujn, Sane, Bernardo Silva e Stërling ishin të tillë, ndërsa Aguero hyri në lojë në minutën e 70-të.

Nëse Bristol Siti do të arrinte finalen, kjo do të ishte hera e parë që nga viti 2013, kur në “Uembli” luajti Bredford Siti e në 2012, Kardif Siti. Shumë pak herë (3 apo 4) ka ndodhur që ekipet e kategorisë së dytë ta fitojnë Kupën e Ligës të krijuar në 1961, për herë të fundit Shefild Uensdi në 1991.

Sfidanti.al