Bajerni është “dielli” i sistemit planetar që quhet Bundesligë. Është edhe “karantina” për t’u pranuar në kombëtaren gjermane. Ky “diell” dhe kjo “karantinë” u shfaqën vendimtarë për karrierën e lojtarit të ri të Gjermanisë, Leon Gorecka. Mesfushori luftarak 22-vjeçar është afrimi i radhës tek bavarezët dhe, siç mund të ndodhë vetëm në Bundesligë, kjo do të ndodhë falas.
Shalke nuk do të fitojë asnjë euro nga Gorecka, të cilit i përfundon kontrata në fund të sezonit, ndërsa po të kishte qenë kjo në Angli apo Spanjë, padyshim për kartonin e tij do të ishin shpenzuar të paktën 40-50 milionë euro.
Gjithsesi, ky është normaliteti i futbollit teuton, por lajmi tjetër është që tek Bajerni do të ketë lëvizje. Ardhja e Goreckës, dhe prania e alternativave të reja si Kingsli Koman (21 vjeç) e Serzh Gnabri (22 vjeç), duket se do të vendosë fatin e veteranëve Frank Riberi e Arturo Vidal.
Francezi është 34 vjeç dhe, ndonëse ikonë e klubit, pak pritet të vazhdojë, pas 11 vitesh në Mynih. Gorecka është edhe më i shpejtë, edhe më shumë driblues, edhe me më shumë gjuajtje sesa Riberi i sotëm.
Vidal, ndryshe nga Riberi, do të largohet duke sjellë të ardhura. Ai ka kontratë deri në 2019, por Çelsi është gati të paguajë 35 milionë për kartonin e tij. Antonio Konte, trajneri i bluve, e ka thënë “copë”: Nëse shkoj në luftë, në krah dua të kem Vidalin”.
Sfidanti.al