Do ta qani futbollistin e talentuar Liridon Latifi ! Kur talenti që rëshkiste me top në fushë iku nga Skënderbeu, nuk ishin të pakët ata që mendonin se paratë që u fituan nga shitja e tij, nuk do të blinin dot lotët për mungesën e madhe. Ajo që ndodhi ishte si një bast tjetër i fituar nga ekipi korçar. Kur del para pasqyrës së Superligës, dhe kjo as nuk vihet në dyshim, Skënderbeu, mbetet ekipi që ka një pasaportë të sigurtë loje, ku futbolli patetik nuk del kurrë mbi futbollin e arsyes. Dhe triumfi më i madh i Skënderbeut në pjesëmarrjen e fundit të Europa Ligës, nuk janë pikët e grumbulluara, të cilat edhe mund të lakmohen , por stili i pandryshueshëm edhe kur luan me “ujqër” më të rrezikshëm se “ujku i dëborës”. Ka disa që mundohen , apo vuajnë shumë për të gjetur “gralin e shenjtë” të ekipit që trazon mrekullisht përvojën me talentin, duke pyetur : cili është maja e “shpatës” së Skënderbeut?
Tregohet me gisht talenti Gavazaj që ka vjedhur skenën në kampionat dhe në Europë, si një driblues i ëmbël dhe depërtues , aq sa t’i thanë edhe lotët për largimin e Latifit. Ka një opinion, disi xheloz ndaj atyre që kërkojnë më të mirin,që zbulon se forca e madhe e tyre qëndron tek arti i krijimit të grupit, që zbulon në fushë një amalgamë suksesi. Ata që ndjekin prej vitesh lojën dhe njohin me sy mbyllur hartën e futbollistëve që kanë ikur dhe kanë zbarkuar, besojnë se “trajneri” më i mirë midis trajnerëve fitues është presidenti Takaj. E dini cili është shpjegimi popullor , më sfiduesi në, por edhe më i sakti? Takaj ka sukses, ndryshe nga presidentët e tjerë, sepse i ka rënë topit vetë, gjë që i ka mprehur nuhatjen e pagabuar . Në kërkim të “heroit” të madh, sidomos në një ekip, basti i të cilit ishte të fitonte edhe betejën morale me Europën pas dënimit që kishte marrë, s’ka si të shpërfillësh edhe sherbimin special të portierit Shehi. Me atë që ka realizuar këtë edicion , duket se ka hyrë pa trokitur në familjen e 40 vjeçarëve, që kur janë midis shtyllave, ndalojnë moshën për të shijuar një rini të dytë..
Sfidanti.al