I gjithë vendi i përmbytur, futbolli shpëton me “gomonen” e vet!

E gjithë Shqipëria është nën ujë, duke përjetuar me frikë dhe pasiguri valën e përmbytjeve, kurse  futbolli, me mëndjen e tij të lehtë, ka gjetur tokën “e thatë” dhe..kokën e njomë  për të vazhduar garën. Ishalla, mos qoftë në emër të besnikerisë ndaj kalendarit. Kur të gjithë janë përmbytur, disave uji u ka përpirë shtëpinë, të tjerëve moralisht u ka mbytur shpirtin, shtëpia e topit, e cila përmbytet edhe kur është thatësirë, FSHF-ja,  nuk do t’i ndalojë ndeshjet, siç pati njoftuar 24 orë më parë. Loja do të “notojë” në fushat e saj të stërlodhura, duke treguar se ajo nuk është kushdo. Mund të përmbytet e vetme, por jo bashkë me të tjerët…

Kur të luhen ndeshjet me stadiume të qullosura deri në palcë, pa këmbë njeriu në stadiumet- liqene, zyrtarët e kalendarit, kishin shansin jetik që këtë herë të mos e degjonin shprehjen shpotitëse “ fshati digjet, kurse k…. krihet!”  Edhe sikur të kishim një lojë që të mos përmbytej nga mungesa e besimit dhe stadiumet të gëzonin jetën plot shëndet, të mbushura me tifozë me mendje të mbledhur, vendimi i dytë, ai që urdhëroi vazhdimin e lojës edhe me “gomone” ,  e bën akoma më të vërtetë idenë e fshehur se futbolli pa tifozë, rëshket si në gjalp, aq sa i  përcjell edhe më shpejt javët e kampionatit…

Sfidanti.al