MSN nuk ekziston, por as BBC-ja nuk del dot bashkë në fushë

Këtë sezon bota e futbollit ka humbur treshen më të madhe sulmuese të të gjitha kohëve, MSN-në e Barcelonës, por thuajse gjatë gjithë vitit nuk ka parë as treshen tjetër të shkëlqyer, atë BBC të Realit. Nëse Nejmar është larguar për fare tek Paris SG, tre sulmuesit e Madridit janë sërish në “Bernabeu”, por dëmtimet nuk i kanë lejuar të bëhen bashkë. Benzema, Bejl e Ronaldo kanë 222 ditë që nuk bëhen dot të tre së bashku në terren.

“Fajtori” kryesor për këtë është padyshim Garet Bejl me dëmtimet e tij të shpeshta, dhe ai do të mungojë edhe këtë herë në Bilbao. Dëmtime i kanë ndodhur edhe Benzemasë, ndërsa Ronaldos më pak, por gjithsesi ka pasur edhe ai probleme të tilla si dhe pezullime. Zidan, gjithsesi, nuk dëshiron të rrezikojë sidomos pasi Bejl ndjeu sërish dhimbje pas ndeshjes në Kupë ndaj Fuenlabradës.

Sfidanti.al