Nuk është turp të të mundë një ekip me emër të respektuar si Crvena Zvezda, por është problem kur kjo ndodh ndaj një ekipi që ka fituar vetëm 2 ndeshje dhe ka humbur 7 deri përpara përballjes me ty. Ja që kjo i ndodhi Realit, ekipit që tre vjet më parë doli kampion i Europës dhe që ka qenë pretendent i Euroligës për çdo edicion. Kampionia e Serbisë triumfoi 87-83 në Madrid duke lënë pas humbjet e hidhura, dhe duke treguar më qartë telashet e spanjollëve.
Amerikani Roçesti shënoi 18 pikë për miqtë, Milko Bjelica shtoi 16, pastaj Pero Antiç kishte 11, Ognjen Dobriç e Xhejms Feldein nga 10 pikë. Luka Donçiç sërish u përpoq të shpëtonte nderin e Realit me 20 pikët e tij, por nuk ia doli në një përballje që ishte e fortë dhe u vendos në fund.
Ishte një javë e zezë për të gjitha skuadrat spanjolle, pasi edhe të tjerat u mundën. Barcelona u thye në Moskë nga CSKA-ja me shifrat 78-92, Baskonia Vitoria u mposht në Arenën e saj nga Fenerbahçe kampione e Europës 69-83, Valencia u mund po në Spanjë nga Olimpiakosi 72-64 dhe Unikaha Malaga u rrëzua në Athinë ndaj Panathinaikosit 71-82. CSKA në Moskë u udhëhoq nga të huajt. Klajbërn shënoi 22 pikë, Higins 20 dhe francezi De Kolo 18, ndërsa dha edhe 11 asistë. Vetëm Semjon Antonov mbrojti nderin e rusëve me 10 pikë të shënuara.
Në renditje, CSKA e Olimpiakos kryesojnë me nga 8 fitore e 2 humbje, Fenerbahçe është e treta me bilancin 7-3 po aq sa Panathinaikos, ndërsa Makabi Tel Aviv dhe Himki i Moskës janë në 6-4. Reali duhet të kënaqet vetëm me barazpeshën 5 fitore e 5 humbje.
Sfidanti.al