Anglia tronditet sërish nga huliganizmi, përse në botë po ndodh?!

Ndeshja Brajton-Kristal Palas tronditi Anglinë edhe një herë, pas frikës që u krijua në Euro 2016. Nuk mjaftuan tifozët anglezë që u përleshën me ata rusë, në një shfaqje të tmerrshme rrugaçërie, por ja që një grup huliganësh vendas të Brajtonit, të armatosur me ç’i erdhi për dore, u përpoq të sulmonte tifozët miq, gjatë ndeshjes së kampionatit më të ndjekur dhe më pasur në botë, Premier Ligës.

Një nga shefat e policisë, i quajtur Sajmon Nelson, u shpreh se “kurrë nuk më ka ndodhur që të shoh veprime të tilla të dhunshme”. Nelsoni padyshim ka të drejtë, veçse në Angli shumëkush pyet: Përse po kthehemi sërish si në vitet më të vështira të Epokës “Theçer”, kur huliganët anglezë u bënë tmerri i vendit të tyre dhe i gjithë kontinentit, derisa shkaktuan “Hejselin” dhe bënë që klubet e tyre të përjashtoheshin për 5 vjet nga kupat e Europës?!

Padyshim, ka një traditë raciste, ksenofobe në Angli, për shkak të pozitës së këtij shteti si Perandoria më e madhe dhe më e pasur në botë, një lloj superioriteti, një dobësi tipike e njerëzve më të pasur se të tjerët, kompleks që vazhdon të gjejë jehonë dhe të krijojë mentalitet të dhunshëm sidomos tek njerëzit më fatkeqë, më të pashkolluar të shoqërisë. Jo më kot, shumë prej tyre votuan “Breksitin” (Brexit, daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja).

Kjo diferencë duket qartë në Skoci ku praktikisht nuk ka huliganizëm, pasi skocezët gjithnjë e kanë parë veten si të shtypur nga Anglia, dhe jo si pjesë e Perandorisë që shtypte çerekun e Botës.

Gjithsesi, ka edhe një pakënaqësi në rritje për pozicionin ekonomik dhe shoqëror të këtyre njerëzve të pashkollë, që bëjnë punë aspak të vlerësueshme dhe që duan të jenë më protagonistë në shoqëri. Jo më kot, lideri i Laburistëve britanikë në opozitë, Xheremi Korbin, thekson se “vërtet në Angli nuk ka papunësi të lartë, vërtet happen vende pune, por a keni pyetur ndonjëherë sesa është rroga e këtyre vendeve të punës?”. Një njeri që merr rrrogë të vogël, që nuk është i shkolluar dhe që ka komplekse “perandorake”, padyshim që mund të bëhet edhe i dhunshëm.

Sfidanti.al