Përfaqësuesja e Perusë mund të përjashtohet nga Kupa e Botës Rusi-2018, pasi, sikurse bëhet e ditur, FIFA ka filluar ta hetojë federatën e futbollit të këtij vendi lationoamerikan. Kualifikimi i Perusë për në Botërorin e ardhshëm u shndërrua në një festë të madhe në të gjithë vendin, por euforia, gjatë këtyre ditëve, ka rënë mjaft, ndërsa ekziston frika e përjashtimit të saj nga Kupa e Botës.
Gazeta peruane “Libero” ka publikuar lajmin se presidentja e Komisionit peruvian për të Rinjtë dhe Sportin, Paloma Noçela, ka propozuar miratimin e një ligji që do t’i lejonte shtetit të kontrollojë veprimtarinë e të gjithë institucioneve dhe organeve sportivë, përfshi edhe federatën e futbollit, gjë që FIFA, gjithnjë,e ka kundërshtuar, madje, ka vendosur edhe sanksione.
Nëse hetimi që, tanimë, ka filluar, tregon se politika ndërhyn në veprimtarinë e federatës së futbollit të Perusë, atëherë, ky vend kërcënohet që të mos lejohet të marrë pjesë në Botërorin e ardhshëm, megjihëse është kualifikuar. Kjo do të thotë se vendin e saj do të mund ta zërë Italia që është kandidatja më serioze.
Sfidanti.al