Ishte apo nuk ishte? E kaloi vijën fatale topi apo ishte një iluzion i diktuar edhe nga historia mëkatare ndaj Flamurtarit? Në një vend që besohet se futbolli është “industria” e fjalëve, as kamerat nuk të ndihmojnë që të flakësh dyshimin, siç ndodhi përsëri me Flamurtarin ndërsa ndeshej me Teutën. Nuk është më fjala për pikën e bardhë të penalltisë, atje ku e bardha shenjë është shndërruar në pikën e ferrit për vlonjatët, por historia është spostuar tek..vija fatale! Në Vlorë, të lodhur me episode që e tradhëtojnë guston e lojës , kanë bindjen kolektive se topi ka kaluar vijën fatale, por nuk e dinë se sytë mund të gabojnë ngaqë po luajnë rolin kryesor në filmin “ Gjuetia e Shtrigave”.
Një serial ku viktima edhe pse merr thika, duhet të mbahet në këmbë deri në aktin e fundit. Një film ku trajneri Shpëtim Duro ndihet sikur i kanë vjedhur prapë “portofolin” e ndeshjes dhe hajduti është po e njëjta fytyrë, që vjen dhe ikën me muzikën e bilbilit. Sidoqoftë, për hir të së vërtetës, nje jave me pare, sapo Liçaj mrekulloi me rofeshatën anti-gravitet, në Vlorë shumë vetë kanë festuar duke thënë se “ na duhen gola të bukur dhe flagrantë,pikërisht në minutat e fundit , sa arbitrat të mos kenë mundësi dhe fuqi të na i anulojnë golat! Këtë herë, skenari nuk i tradhëtoi, ngjarja ndodhi pikërisht në minutat e fundit, por goli ishte një amalgamë midis së vërtetës dhe iluzionit. Në krahasim me gafat dhe idotësitë që na kanë parë sytë, kjo që ndodhi këtë herë me Teutën mund të shikohet si shenjë e bekuar, siç themi me syrin e mirë, sepse topi mund të kalonte edhe 1 metër vijën fatale, kurse goli mund të avullonte si me “magji”, nga ato që prestigjatori të lë me gojë dhe me..këmbë hapur.
Sfidanti.al