Grigor Dimitrov, Don Zhuani që u bë mbret i tenisit

U desh të mbushte 26 vjeç që të ndryshonte. Grigor Dimitrov ka qenë i destinuar prej kohësh që të ishte në kulmin e sportit të tenisit, por për bullgarin bukurosh dhe çamarrok më shumë rëndësi kishin femrat. Vështirë t’i vihet faj një ylli global që për shumë mote shëtiti “nga lulja në lule”, dhe çfarë lulesh.

Gjithsesi, të kthehemi tek lajmi, pasi Dimitrov u kuroëzua “mbret” i turneut të Mjeshtrave, në Arenën “O2” të Londrës, një trofe që zakonisht e kanë fituar gjigandë si Federer, Nadal apo Gjokoviç. Bullgari triumfoi në finalen ndaj francezit David Gofen, me shifrat 2-1 me sete (7-5, 4-6, 6-3), duke fituar titullin e parë të madh në karrierë, dhe duke i siguruar vetes numrin 3 në renditjen botërore në fund të 2017-ës, pas Rafael Nadalit dhe Rozher Federerit. Vetë Federer, që pritej të triumfonte, u eleminua në gjysmëfinale nga Gofen.

Dimitrov është quajtur “Baby Fed”, pra “Federeri bebe”, për faktin se ai kishte elegancën dhe talentin e zviceranit, por jo etikën e tij të punës, pasi i kushtonte më shumë kohë femrave. Në vitin 2008, kur ishte 17 vjeç fitoi Uimbëlldonin për të rinjtë, por nuk i realizoi premisat e tenisit. Realizoi ato të dashurive.

“Don Zhuani” bullgar besohet se ka pasur të dashur Serena Uilliamsin në fillim të vitit 2012, kur ai ishte 21 vjeç dhe amerikania 31. Në 2012, ai u lidh me bukuroshen ruse, Maria Sharapova, një dashuri që zgjati deri në 2015, por ata u ndanë për shkak se karrierat e secilit nuk i lejonin shumë kohë të ishin bashkë. Në 2016, Dimitrov fitoi dashurinë e yllit të muzikës, Nikolë Sherziger, ish-e dashur e Ljuis Hamiltonit.

Stilet e ndryshme të jetës së tyre, ndoshta mund ta ndihmojnë tenistin 26-vjeçar që të hyjë në moshën e pjekurisë së sportit dhe të bëhet rival për titujt Grand Slem, në të cilët ka arritur deri tani vetëm deri në gjysmëfinale, si në Australian Open dhe Uimbëlldon.

Sfidanti.al