Përmes gazetës suaj, dua t’u drejtohem miqve të mi të vjetër, që prej vitesh janë anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së. E kam fjalën këtu për katër ish-futbollistë si Muhedin Targaj, Fatbardh Jera, Vasil Bici dhe Abdyl Kuriu. Këtë apel të ndjerë e bëj për ju, sepse kemi derdhur djersë bashkërisht dhe ndershmërisht në fushën e blertë për vite të tëra. U drejtohem juve, sepse është shpresa e vetme që kam si një mundësi për t’u dëgjuar zëri i futbollit, duke qenë se anëtarët e tjerë të Komitetit Ekzekutiv nuk i njoh dhe nuk e di se çfarë i lidh ata me futbollin.
Konstatoj me keqardhje se çdo vit që po kalon, futbolli në Shqipëri po merret gjithnjë e më shumë peng nga njerëz që e shikojnë si biznes për të vjedhur në çdolloj forme. Ata nuk e shikojnë futbollin si një garë unike në llojin e vet, ku paraja dhe pasioni ndërthuren natyrshëm me njëra-tjetrën. Ju të nderuar miqtë e mi, jeni zgjedhur në këtë detyrë nga votat e të gjithë ekipeve. U bëj apel që të mos vazhdoni të bëheni pjesë e këtij faji të madh. Të jeni ju të parët që, për hir të asaj djerse të derdhur ndër vite, të tregoni se e keni për detyrë të respektoni djersën e një brezi të ri. Ju ftoj t’i thërrisni ndërgjegjes dhe të jepni sa më parë dorëheqjen nga këto struktura, të cilat po prekin fundin e një reputacioni tejet të ulët, që është i korruptuar fund e krye.
Ky është i vetmi gjest që mund të bëni në këto momente dhe që mund t’u nderojë juve si ishfutbollistë me emër. Ky gjest mund t’i shërbejë realisht, por qoftë edhe sadopak futbollit shqiptar. Nëse bëni këtë akt qytetar, do të mbeteni po ata njerëz që kemi njohur në fushat e blerta. Nëse jepni dorëheqjen, do të respektoni djersën e derdhur nga një brez i tërë dhe do të shërbeni si shembull kundër abuzimeve të pafundme në futbollin shqiptar.
Nëse këta zotërinjtë bëjnë hapin e parë, atëherë bie edhe FSHF. Shokët e mi nuk duhet të presin muajin mars, nuk kanë pse bëhen pjesë e fajit. Unë e di që ata janë të pafajshëm, por për të ruajtur dinjitetin e tyre, duhet të largohen që tani. Është një logjikë shumë e thjeshtë, sepse në këtë lloj sporti duhet një ngacmim dhe pse të mos bëhen shkas katër ish-futbollistë që janë anëtarë të Komitetit Ekzekutiv. Me dorëheqjen e tyre, e kupton fare qartë edhe UEFA që këtu nuk funksionon më FSHF. Pra, ju bie njerëzve të sportit për detyrë nëse e duan futbollin të ndershëm dhe të pastër”, është shprehur fillimisht ish-sulmuesi i famshëm i Flamurtarit të viteve ’80.
Marre nga gezeta Panorama Sport