Kjo është pamja e pjesëshme e stadiumit “Selman Stërmasi”, gjatë ndeshjes së mbrëmshme të Shpresave. Skuadra e Bushit luante një takim zyrtar ndaj Irlandës së Veriut dhe megjithë përpjekjes së drejtuesve të FSHF-së, për të patur një numër të konsiderueshëm tifozësh, thirrja urdhëruese ndaj të gjitha zyrave të institucionit, nuk e kaloi dot hapësirën e kufizuar të tribunës qendrore. Prej kohësh, këtij futbolli I ka humbur gjithçka, duke përfshirë edhe sinqeritetin, kështu që ka mbetur një përzierje midis mediokritetit të fushës dhe arrogancës së shefave. Nëpërmjet një mesazhi telefonik, të shpërndarë nga paniku derë më derë, shefave të sektorëve në FSHF nuk u kërkohej të përpiqeshin për organizimin sa më të mirë të takimit, gjë që do të ishte normale, por të kujdeseshin për të sjellë në stadium të gjithë vartësit e tyre, arbitrat e të gjitha kategorive, delegatët, të gjitha skuadrat e moshave, madje të kontaktohej edhe me Lad Gjonin nga Ministria e Arsimit, për të sjellë me detyrim nxënësit e shkollave.
Ndërsa përfundimi i kësaj ndërmarrje ishte popullimi me arbitra i tribunës qendrore dhe kjo është vërtetë një tjetër ironi fyese për publikun. Pikërisht në atë sektor dhe për një ndeshje të Kombëtares A ndaj një kundërshtari sado modeste, siç ishte rasti i Lihtenstainit, çmimi i një stoli është 180 mijë lekë, madje nuk denjuan asnjëherë të bënin ndonjë zbritje gjatë të gjithë fushatës eleminatore. Edhe në ndeshjen e djeshme, nëse nuk do të kishin testuar interesimin e tifozëve për ta ndjekur dhe t’u kishte rezultuar më pak se minimal, nuk do ta kishin hapur pjesën VIP të stadiumit, që të rehatoheshin bilbilat si vip-a. Këta që e drejtojnë futbollin tonë, prej kohësh janë një zhgënjim kolektiv dhe kjo është edhe një nga arsyet, pse njerëzit nuk i përgjigjen thirrjeve për të qenë në stadium, qoftë edhe kur një herë në vit heqin dorë nga praktika e zakonshme, për t’u rrëmuar xhepat.