Biletat e trenit për në stadiumin MetLife, stadiumi i New Jerseyt që do të presë tetë ndeshje të Kupës së Botës 2026, përfshirë finalen, do të kushtojnë deri në 150 dollarë, njoftuan autoritetet lokale.
Në një konferencë për shtyp, zyrtari përgjegjës për transportin në zonën përreth Nju Jorkut, në Shtetet e Bashkuara, shpjegoi se gjatë garës, çmimi i zakonshëm i një bilete vajtje-ardhje, i cili normalisht kushton 12.90 dollarë (10.95 euro), do të rritet në 150 dollarë (127 euro).
“Kjo tarifë speciale ishte e nevojshme për të kompensuar koston prej 48 milionë dollarësh të shkaktuar për rritjen e shërbimit të trenit dhe zbatimin e aksesit të dedikuar me tren në stadium”, shpjegoi Kris Kolluri.
Udhëtimi për këtë biletë, e cila fillon në Nju Jork, zgjat rreth 30 minuta, duke mbuluar një distancë prej 30 kilometrash, dhe 40.000 vende do të jenë në dispozicion për çdo ditë ndeshjeje. Me autobus, bileta vajtje-ardhje do të kushtojë 80 dollarë (68 euro). Kupa e Botës 2026 do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë.

