Nga “Uembli” në “Tuikenham”, Xhoshua mbron titujt në stadiume

Entoni Xhoshua bashkoi titujt botërorë në peshat e rënda në boksin profesionist në stadiumin “Uembli”. Impianti ikonik i Londrës provoi emocione të mëdha me të 90 000 spektatorët mbrëmjen që anglezi mposhti legjendarin Vladimir Kliçko, por një tjetër stadium londinez mund të jetë në radhë. Nga “vatra” e futbollit anglez, tek “vatra” e regbisë, stadiumi i famshëm “Tuikenham”.

Promotori i Xhoshuas, Edi Hërn, thotë se do të jetë e vështirë të sigurohet “Uembli” për ndeshjet e radhës, dhe nëse nuk arrihet marrëveshja me “Tempullin” britanik të topkëmbës, do të ketë zhvendosje tek regbija. “Tuikenhami” mban 82 000 spektatorë. Impianti  historik, është më i vjetër se “Uembli”, ndërtuar në 1907 (“Uembli” u ndërtua në 1923).

“Uembli” do të jetë shumë i vështirë në 2018, – tha Hërni, – kemi biseduar dhe shanset nuk janë të mira. Ne duam stadiumin më të madh të mundshëm, ndaj në mungesë të “Uemblit” do të shkojmë tek “Tuikenhami”. Besohet që ndeshja për titull botëror në peshat e rënda mund të jetë ndaj amerikanit Diontei Uilder.

Sfidanti.al