Kryetari i Bashkisë së Napolit, Luixhi De Magistris, kërcënoi se Iguani do të bëjë mirë që të mos vijë më në qytetin e tyre. Sikurse dihet, Juventusi dhe Napoli, këtë uikend, do të luajnë në një derbi të madh të javës së 10-të të Serisë A, ndërkohë që kjo ndeshje do të jetë, veçanërisht, e vështirë për Iguanin që, momentalisht, është figura me e urryer midis tifozëve të Napolit. “Tifozët tanë e kanë harruar afërsinë e pazakontë që kanë patur me të. Kjo afërsi u prish, kur ai u largua nga ekipi. Kam mendimin se Iguani do të bëjë gabim, në rast se vendos që të shëtisë në Napoli. Ne jemi njerëz miqësorë, por, në këtë rast, nuk kemi ndonjë dëshirë të madhe për ta pritur atë”, deklaroi, dje, kryebashkiaku i Napolit.