FIFA imiton UEFA-n, do të krijojë “Ligën botërore”, por nisma…

UEFA ka paralajmëruar krijimin e Ligës së Kombeve që do të duhet të fillojë që të funksionojë, në shtator të vitit të ardhshëm, por, me këtë rast, i ka krijur probleme FIFA-s. Nisma e UEFA-s bëri që të ngrinin zërin e tyre të mëdhenjtë e Amerikës së Jugut, Brazili dhe Argjentina, që, ashtu sikurse qëndrojnë punët tani, e kanë të vështirë që të gjejnë ndonjë ekip cilësor për të zhvilluar ndeshje miqësore, më konkretisht, me ndonjë ekip të mirë evropian, kurse, tani, mbas krijimit të Ligës së Kombeve të Evropës, ekipet latinoamerikane do të jënë të shkëputur pothuajse plotësisht nga Evropa futbollistike.

Kështu, FIFA vendosi që të ndjekë shembullin e UEFA-s dhe të krijojë Ligën e vet Botërore, sipas modelit të Ligës evropiane së Kombeve. Por, ama, nisma e “zotërinjve” evropianë është menduar mirë, pra që të jetë rezultative, duke i motivuar përfqësueset me kualifikim direkt për në Evropian, madje, edhe nga zona kualitative më e dobët, ku bën pjesë, psh., Maqedonia. Kurse, në rastin e FIFA-s, asgjë nuk është e qartë, duke qenë se të gjithë vendet për pjesëmarrje në Kupën e Botës që u takojnë kontinenteve, janë paracaktuar, madje, edhe për vitin 2026, kur në Botëror do të marrin pjesë, për herë të parë, 48 ekipe. Sidoqoftë, gazeta braziliane “Estadao” shkruan se FIFA jo vetëm që ka biseduar për idenë e lartpërmendur, por edhe ka planifikuar që ta fillojë aplikimin e saj në praktikë, më 2019. Plani është i njëjtë me atë të Ligës së Kombeve, pra ekipet do të ndahen në tri zona, mbi bazën e rejtingut të FIFA-s.

Sfidanti.al