Ndeshja e ardhshme e Vllaznisë në Shkodër, ajo ndaj Skënderbeut, nuk do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi”. Arsyeja është se dy ditë më parë në fushën e këtij impianti sportiv, është bërë mbjellja e barit të ri. Ajo është shoqëruar me hedhjen e një sasie të madhe rëre, që është e nevojshme në raste të tilla.
Për këtë arsye, tashmë duhet pritur dalja e barit të ri, por gjithsesi për një periudhë dyjavore është e sigurt që askush nuk mund të shkelë në fushë. Kjo do të thotë se ndeshja me Skënderbeun nuk do të luhet në stadium, por diku tjetër. Mbetet për t’u parë vetëm nëse do të luhet në “Reshit Rusi” apo në ndonjë qytet tjetër.
Interesant është fakti se e njëjta histori ka ndodhur edhe një vit më parë dhe pikërisht përpara ndeshjes me Skënderbeun. Edhe atëherë fusha e “Loro Boriçi”- t u mbyll dhe dy ekipet ranë dakord që ndeshjen të cilën duhet të luanin në Shkodër, ta zhvillonin në Korçë dhe atë të fazës së dytë në qytetin verior.
Kështu ndodhi, por në fakt, që prej asaj ndeshje, Vllaznia mori tatëpjetën sepse e filloi mirë kampionatin, por më pas rezultatet nuk ishin të mira. Se çfarë do të ndodhë këtë herë, mbetet për t’u parë. Drejtuesit e Vllaznisë, në fakt, kanë një merak tjetër, atë nëse do të bëhet fusha gati për ndeshjen e parë të fazës së dytë, atë me Lushnjën.
Marre nga Panorama Sport