Lebron Xhejms, ose basketbollisti që i bën të gjitha!

Një sportist i madh i bën të gjitha. Këtë e kishte parasysh trajneri i Klivlendit, Lu, kur e vendosi në një pozicion të pazakonshëm, Lebron Xhejmsin. i mbiquajturi “Mbreti”, dha përgjigjen që pritej dhe nënkampionët e NBA-së fituan në fushën e tyre ndaj Çikagos, 119-112. Xhejms luajti në pozicionin e organizatorit, një nga rastet e rralla që e bën, por duke treguar se ia del më së miri.

Nuk është diçka e vogël për një basketbollist me shtatlartësi 2.03 metra dhe, sidomos me konstruktin e tij fizik masiv, me peshë 118 kg. Klasi, gjithsesi, kapërcen çdo pengesë sidomos kur flitet për numrin 1 të kësaj loje në botë. Lebron shënoi 34 pikë në 37 minuta që ishte në fushë, dha 13 asistë siç i takon një orgaizatori, si dhe vodhi 3 topa ndaj kundërshtarëve. Duke qenë larg tabelave, mundi të kapte vetëm 2 topa nën to, por Xhejms nuk ishte në fushë për të zotëruar koshin.

Kevin Lov ishte ndihmuesi i tij kryesor, me 20 pikë e 12 topa në tabela, ndërsa Duejn Uejdi i ardhur nga Majemi shtoi 11 pikë, duke e nisur ndeshjen nga stoli. Çikago nuk luajti aspak keq, por nuk përballoi dot ofensivën e Kavaliersëve në pjesën e tretë. Bullsat shënoi 17 kosha tripikësh, shifra më e lartë e sezonit, ndërsa Holidei shënoi 25 pikë e Markanen 19.

Këtë sezon, nuk është aspak e lehtë për trajnerin e Klivlendit, Lu, të krijojë një ekip të qendrueshëm, për shkak të largimeve e afrimeve të lojtarëve dhe dëmtimeve, por sa kohë që në parket është Xhejms, problemet kalohen më shpejt.v Ndoshta, edhe pas ikjes së Kajri Irvingut, nënkampionët mund të pretendojnë titullin.

Sfidanti.al