‘Katastrofë’ e Golden Stejt, kampionët e NBA nisin sezonin me humbje

Golden Stejti i habit të gjithë pasi e nisi kampionatin e NBA me një disfatë në parketin e tij, ‘Oracle Arena’. Goditjen befasuese skuadrës që cilësohet si më e mira në Ligën Amerikane të Basketbollit, ia dha Hjuston Rokets me rezultatin 122-121. Skuadrës së Uorriors nuk i mjaftoi fakti që udhëhoqi në rezultat për 3 perioda, pasi në 12 minutat e fundit, teksanët e Majk D’Antonit i ndryshuan historitë e ndeshjes duke e fituar atë. Për Hjuston më i miri në fiudhën e lojës ishte Xhejms Harden me 27 pikë e 10 topa në tabelë, ndërsa për Golden Stejt nuk mjaftuan 22 pikët e Kërrit dhe 20 të Durant për ta mbyllur në favor të saj takimin.

Nuk zhgënjeu në ditën e parë të kampionatit Klivlend Kavaliers që arriti të mposhtë Boston Seltiks 102-99.  Skuadra nga Ohajo rrezikoi shumë në këtë ndeshje teksa pa që Bostoni edhe pse pa Hejuard që u dëmtua rëndë, arriti të përmbysë disavantazhin prej 18 pikësh madje të marrë edhe kryesimin në minutat e fundit të sfidës. Atëherë kur duhej, për Kavaliers u shfaq Lebron Xhejms i cili në periodën e fundit shënoi 13 nga 29 pikët e tij të ndeshjes për t’u dhënë nënkampionëve të NBA suksesin e parë sezonal.

Sfidanti.al