Batuta të Hajnkesit e Mylerit tek Bajerni, por edhe hija e Lëvit!

Shumëkush frikësohej se mos Bajerni mori një trajner shumë të vjetër për stolin, një “dinosaur”. Jup Hajnkes e hodhi tej këtë shqetësim me batutën e tij të parë në rikthimin e katërt tek bavarezët. “Nuk më duket se futbolli u shpik përsëri që kur u largova unë”, ishin fjalët e tij. Batutën tjetër të ditëve të para të “Epokës Hajnkes” e bëri Tomas Myleri.

Legjenda e Bajernit, e lënë pas dore nga Ançeloti, goditi si “snajper” ndaj ish-trajnerit duke thënë se “tani do të fillojmë të stërvitemi përsëri siç duhet”. Hajnkes është një personazh shumë i dashur për tifozët, pasi arriti suksese që në vitet 80-të dhe pastaj në 2011-2013, duke pasur gjithnjë marrëdhënie shumë të mira me lojtarët. Në foton që shoqëron shkrimin, mund të shihet Hajnkesi në 1989, duke pirë një gotë verë me dy futbollistë të tij, Hans Dorfner dhe Hansi Flik, pas fitores së Bundesligës.

Gjithsesi, mediat gjermane shkruajnë se vlerësimi për trajnerin 72-vjeçar mund të jetë “i pjesshëm”. Kjo, pasi besohet se Hajnkesi do ta mbajë stolin “të ngrohtë” për Joakim Lëvin sezonin e ardhshëm.

Sfidanti.al