Addio Calcio! Andrea Pirlo tërhiqet nga futbolli në dhjetor

Për Andrea Pirlon ka ardhur koha që të varë këpucët në gozhdë. Mesfushori Italian i New York City në MLS bëri të ditur se do t’i thotë lamtumirën futbollit kur të mbyllë kontratën me skuadrën amerikane  që është në 31 dhjetor të këtij viti. Në një intervistë për të përditshmen italiane La Gazzetta Dello Sport,  Pirlo 38 vjecar deklaroi: ‘Gjithmonë kuptohet kur vjen moment për të thënë ‘mjaft’. Cdo ditë ke problem fizike dhe nuk mund të stërvitesh sic dëshiron, pasi është gjithmonë dicka që të pengon. Në moshën time kjo është e mjaftueshme.Është e pamundur të luash deri në moshën 50 vjecare. Do të merrem me dicka tjetër’.

I pyetur se cfarë do të bëjë pasi të jetë tërhequr nga futbollit, Pirlo kampion bote në 2006 me Italinë tha: ‘Ende nuk e di. Në dhjetor do të kthehem në Itali. Nëse do të jem krahu i djathtë i Contes? Po flitet për shumë gjëra. I kam ca ide, por do t’i jap vetes pak kohë për të marrë një vendim’.

Ish futbiollisti i Interit, Milanit e Juventusit, Andrea Pirlo e bëri debutimin në 1995 me Brescia Calcio dhe në palmaresin e tij janë 2 Liga Kampionesh, 2 Superkupa të Evropës, një Botëror Klubesh, 6 tituj të Serisë A, 2 Kupa Italie dhe 3 Superkupa Italie. Në vitin 2015 kaloi te New York City duke lënë skuadrën e Juventusit.

Sfidanti.al