“Një portier i madh”, lavdërime për Strakoshën në Ligën e Europës

Lacio e arriti fitoren e dytë në dy ndeshje në fazën e grupeve të Ligës së Europës, një sukses relativisht i lehtë, veçse ku u desh një portier në formë për të mos u ndëshkuar. Ky portier për lacialët quhej sërish Thomas Strakosha, 22-vjeçari shqiptar, që shpëtoi të paktën në dy raste portën nga goli i barazimit.

“Ky është një portier i madh”, u dëgjua komenti italisht në njërën nga platformat digjitale që transmetonte sfidën e Ligës së Europës, menjëherë pasi sulmuesi me numrin 7, Leja Iseka, la në vend mbrojtësin vendas, dhe doli i vetëm përballë shqiptarit. Strakosha e ndaloi me këmbë, më pas hoqi një top pranë vijës fatale, që me teknologji doli se nuk ishte gol, dhe në fund shpëtoi një gjuajtje me kokë, duke reaguar me refleks dhe akrobaci.

Felipe Kaseido në 18’ dhe Çiro Imobile në 90’ shënuan golat në një ndeshje të mërzitshme, edhe për shkak të mungesës së tifozëve laciale, të dënuar për shkak të sjelljes raciste të disave prej tyre në një përballje të mëparshme europiane.

Sfidanti.al