Europa pati dy lajme të mëdhenj nga kryeqytetin e Francës. Së pari, që Paris SG është realisht pretendent serioz për të fituar Ligën e Kampionëve në futboll, dhe së dyti që “lufta civile” tek parizienët duket se ka përfunduar. Bajerni u shkel me këmbë 3-0, të paktën me rezultat, dhe ata që quheshin armiq të papajtueshëm, Nejmar e Kavani, u përqafuan përzemërsisht pas golave.
Nuk pati ndonjë penallti këtë herë, që ata të mund të grindeshin, veçse paqja mund të jetë vendosur me të vërtetë. Presidenti Al Helaifi nuk mundej veçse të ishte i lumtur që “lodra” e tij e preferuar pati aq shumë sukses. Pasi ka shpenzuar qindra e qindra milionë euro që nga tetori i 6 viteve më parë, sheiku nga Gjiri Persik po shijon lavdinë.
“Mendoj se zhvilluam një ndeshje të madhe ndaj një kundërshtari të lavdishëm si Bajerni, – tha ai, – Jemi të lumtur me rezultatin 3-0 edhe pse vuajtëm pak. Gjithsesi, çdo lojtar luajti një ndeshje të rëndësishme”.
Trajneri Unai Emeri, më i qartë për atë që po ndodh tek PSG-ja, vlerësoi vazhdimësinë e skuadrës, dhe nuk dëshiron të veçojë yje. “Ne u quajtëm favoritë që pas fitores ndaj Sëlltikut, por ne donim që të vazhdonim sukseset dhe të kryesonim grupin, – u shpreh spanjolli, – Jam i lumtur që tifozët u kënaqën me fitoren ndaj një kundërshtari kaq të madh. Kemi treguar se cila është rruga për t’u përmirësuar. Zakonisht jemi ne që e mbajmë topin, por këtë herë këtë e bëri më shumë Bajerni, veçse ne sërish e kontrolluam ndeshjen. Merita nuk ishte vetëm e tre sulmuesve, por e gjithë ekipit”.
Si për të vërtetuar fjalët e trajnerit, asnjë nga sulmuesit nuk doli përpara mediave. Njëri prej atyre që foli, Marko Verrati, u tregua vërtet realist. “Ishte një paraqitje komplete ndaj një rivali shumë të fortë, – deklaroi italiani, – Na ndihmoi disi goli i shpejtë, dhe ishim të fortë në mbrojtje, por edhe në sulm. Bajerni bëri presion, dhe ne e përballuam së bashku, duke treguar pjekuri të madhe. E merituam fitoren, ndonëse rezultati nuk i përgjigjet plotësisht lojës”.
Triumfi i parizienëve pati një jehonë të madhe në të gjithë botën. “L’Ekip” i Francës komenton: Europa është e paralajmëruar! Gazeta e kryeqytetit, “Lë Parizien”: Liga e Kampionëve, PSG-Bajern 3-0, Parisi jep një goditje të madhe.
Në Spanjë, gazeta madrilene “AS”: Paris SG që tani shkakton frikë, dhe lëndon keq Ançelotin. Nga Barcelona, “El Mundo Deportivo”: Alvesh, Kavani e Nejmar si rrufe ndaj Bajernit të Ançelotit! “Sport” po e Bacrelonës: Festival i Nejmarit. Në Itali, “La Gazeta delo Sport”: Tre tenorët e Paris SG shurdhojnë Ançelotin! “Lans” e Brazilit: Nejmar komandon një tjetër fitore të Paris SG.
Paris SG kryeson grupin B me 6 pikë pas dy fitoreve, dhe me 8 gola të shënuar e 0 të pësuar. Europa vërtet është e paralajmëruar.
Sfidanti.al