Agolli prek Championsin, por Roma shumë e fortë për Karabakun!

Dihej që në fillim, dhe debutimi kurrë nuk ka qenë i lehtë. Karabaku nuk e pati të lumtur as ndeshjen e parë në shtëpi në Ligën e Kampionëve, duke u detyruar të pranonte humbjen përballë Romës, dhe mes humbësve të lavdishëm ishte edhe Ansi Agolli. Kapiteni i kombëtares pati një mbrëmje të lumtur dhe të dëshpëruar. Të lumtur sepse debutoi më në fund në Champions, pasi dëmtimi nuk e lejoi ta bënte në “Stemford Brixh” ndaj Çelsit, po ashtu të lumtur sepse e la pas dëmtimin dhe do të jetë gati edhe më tej për klubin dhe për kombëtaren. Të hidhur, natyrshëm, sepse humbi.

Skuadra e madhe e Serisë A shënoi dy gola të shpejtë në 15 minuta, fillimisht me anë të Kostas Manolasit dhe pastaj të Edin Xhekos. Një gabim i italianëve ndihmoi Pedro Henriken të rihapte ndeshjen në minutën e 28-të, pra që në pjesën e parë, veçse më tej nuk pati ndryshim. Dhjetëra mijë tifozë në stadiumin e Bakusë, në Azerbajxhan, u ngritën në këmbë në sekondat e fundit kur Agolli harkoi një top në zonë, por sulmuesi Ndlovu nuk e dërgoi dot në rrjetë. Pasi u rikthye për Karabakun, Agolli pritet të jetë gati për kombëtaren në ndeshjet eleminatore të Botërorit ndaj Spanjës dhe Italisë në tetor.

Sfidanti.al