Me Modenën, Torinon dhe Levanten la emër të madh si motivues dhe shpëtimtar. Xhani De Biazi dëshiron ta vërtetojë sërish famën e tij në moshën 61-vjeçare, ndërsa nis një tjetër “mision të pamundur” në karrierë si trajner futbolli. Ish-drejtuesi teknik i Shqipërisë, i prezantuar tek Alaveshi në Spanjë, i ka të gjitha kredencialet në rregull me marshimin triumfal tek Modena, me Torinon “e pavdekshme”, me futbollin e bukur tek Levante dhe me kualifikimin e Shqipërisë në Euro 2016.
“Kam besim se do t’ia arrijmë qëllimit, – tha ai, – Alavesh ka mentalitet fitues, pasi vjet arriti në finalen e Kupës së Mbretit. Më pëlqejnë situatat e vështira dhe po ashtu liga spanjolle që është shumë e fortë. Më pëlqen të jem një motivues”. Ai nisi menjëherë punën duke marrë me vete dy italianë që i pati në Tiranë, ndihmësin Marko Veroneze dhe përgatitësin atletik, Alberto Bele. De Biazi e krahason gjendjen e Alaveshit me atë të Krotones vjet në Serinë A, që në fund mbijetoi kundër të gjitha parashikimeve.
Sfidanti.al