Prapë FSHF! Në fillim Dinamos i morën shpirtin, tani edhe..shtëpinë!

Në momentin që është dhënë alarmi për prishjen e fushave të reja të futbollit, në stadiumet “Loro Boriçi”, “Elbasan-Arena” dhe në “Selman Stërmasi”, inagurimi i të cilëve shkaktoi shumë bujë të përzier me lajka, Federata Shqiptare  njofton për selinë e re të saj, e cila kushton 2 milionë euro.  Sapo mëson adresën e shtëpisë së futbollit, sepse të shkon mendja tek Dinamo. Dhe ka një arsye: ndërtesa e FSHF-së do t’u bëka në kompleksin “Dinamo”, pranë Liqenit. Ata që kanë  meritë të pamohueshme në largimin e Dinamos nga futbolli i madh,  kur  frymëzuan një kampionat fals ku në fund do të “vritej”  Dinamo, shfaqen përsëri ..pa pikën e mëshirës. Edhe në atë kohë, as nuk iu dridh dora për t’i marrë shpirtin klubit të lavdishëm, kurse tani, “thikën” po e fusin më thellë, duke i marrë edhe.. shtëpinë.

Zyrtarët e futbollit, ata që u vetdekoruan pas Francës si heronjtë e heshtur,pa të cilët edhe ata të fushës nuk do të festonin, do të largohen nga selia e tanishme.Ku është çudia?  Kur  thonë se paskan qënë në “periferi” të Tiranës. Prej vitesh krenoheshin me faktin që ishin përballë Ambasadës Amerikane, tani po shkojnë drejt “qëndrës”.. në tokën ku shpresohej të rilindte klubi që është zhdukur për një prapësi kolektive.

Gëzim Sinemati