“Bomba e madhe plasi”, Nejmar kërkon largimin e Kavanit nga PSG-ja!

Mos ndoshta ka bërë mirë Barcelona që e ka larguar? Nejmar, padyshim një nga yjet më të mëdhenj të futbollit në botë, tregoi diçka nga ana e tij e errët e karakterit kur, menjëherë pas përplasjes në fushë me Edinson Kavanin, kërkoi nga drejtuesit e Paris SG-së, largimin e uruguajanit. Në një zbulim (jo edhe aq) sensacional, gazeta katalanase, “Sport”, shkruan se braziliani ka deklaruar se pas asaj që ndodhi është e pamundur të bashkëpunojë me sulmuesin.

“Sporti” menjëherë komentonte se “fajtor ishte Nejmari”, ndoshta me gëzim që pati mundësi të shigjetonte një lojtar që u largua “me dhunë” nga Barcelona. Gjithsesi, mbetet shija e keqe në gojë për sjelljen e Nejmarit. Tek Barcelona ai kurrë nuk pati shans që të kërkonte largimin e ndonjë lojtari, madje ishte një pjesëtar i stafit të ish-trajnerit Luis Enrike që i tha se “do të përfundosh si Ronaldinjo, nëse vazhdon të sillesh kështu”. Edhe po të kishte qenë tek Reali, Bajerni, Juventusi apo Mançester Junajtidi, ylli brazilian nuk do të kishte mundur kurrë të bënte kërkesa të tilla ultimative. Duket se largimi nga Barça ishte mënyra që e ai e mendonte të duhur për të çuar në vend çdo tekë personale. Veçse, kjo hedh hije dyshimi për të ardhmen e Nejmarit dhe për projektin e Paris SG-së.

Sfidanti.al