Stresi i thinj, i rrudh dhe i prish nga nervat. Nuk është aspak ky identikiti i trajnerit të momentit në Gjermani. Ai quhet Julian Nagelsman, është gjerman, dhe është ende i pathyer në Bundesligë. Në moshën 29-vjeçare duket se ka përmbysur shkencën për ciklet biologjike të zanatit të trajnerit.
Nagelsman drejton me sukses Hofenhajmin, edhe ky një klub i ri si vetë trajneri, dhe në 8 ndeshje ka arritur 4 fitore e 4 barazime. Ai është trajneri më i ri në historinë e Bundesligës që mbetet i pathyer në këtë moment të kampionatit. Jo vetëm kaq, por ekipi i tij modest në letër ka shënuar më shumë gola se gjithë të tjerët, me përjashtim të Bajernit e Dortmundit.
Shumëkush u habit kur Hofenhajmi e caktoi Julianin si trajner. Drejtuesit e klubit u cilësuan si të nxituar dhe mendjelehtë nga një pjesë e mediave, pasi 29 vjeç mund të jesh një futbollist i mirë, jo një trajner i suksesshëm. Nagelsman po i nxjerr të gabuar. Ai mori “frenat” nga mjeshtri holandez, Hub Stevens që u largua për shkak të shqetësimeve në zemër në shkurt të këtij viti.
Hofenhajmi ishte në vendin e parafundit, 7 pikë larg zonës së shpëtimit, por kjo nuk e stepi trajnerin e lindur në 32 korrik 1987. Jo vetëm mbijetesa u arrit, por tashmë po pretendohen kupat e Europës. “Kënaqem më shumë si trajner sesa si lojtar, – thotë Juliani, – veten time e identifikoj me futbollin spanjoll, më pëlqejnë Barcelona, Arsenali dhe Vijarreali”.
B. Kuka