Mesi “ngrin” Barcelonën: Nuk është koha për rinovimin!

Tifozët nuk i dalin dot kundër, dhe bëjnë mirë. Lionel Mesi nuk është nga ata që jepen pas parave (pavarësisht fajeve me taksat), as nuk fluturojnë nga çdo ofertë e madhe e verës. Lidhja e tij me Barcelonën, së pari për meritë të klubit dhe pastaj të tijën, është aq shumë e fortë sa ai ta quajë skuadrën “blaugrana” si shtëpinë e tij. Gjithsesi, Mesi nuk po e rinovon kontratën dhe shumëkush është i habitur, i çoroditur. Përse? Si mund të largohet nga klubi që e bëri “njeri”?

E vërteta është që Mesi nuk mund të marrë vendime tek Barça, pasi nuk është as presidenti dhe as ndonjë drejtues i lartë. Ai mundet vetëm të marrë vendime në fushë, apo të ndikojë me atë që mundet. Hezitimi i tij për të rinovuar kontratën, që besohet se ka ardhur me shprehjen “nuk është koha për rinovim”, është një lloj vënie në provë e drejtuesve, që ata të bëjnë maksimumin për të forcuar skuadrën më të lavdishme të shekullit të 20-të.

Presioni i Mesit duket se i ka vënë edhe më shumë në punë presidentin Bartomeu dhe njerëzit e tij, sesa largimi i Nejmarit, dhe kjo është një garanci që Barça do të arrijë të forcohet sa për t’iu kundërvënë hegjemonisë që po profetizohet nga ana e Realit. Pasi ekipi të jetë i fortë do të vijë firma, dhe të dyja këto janë të padiskutueshme.

Sfidanti.al