Ilir Daja: Morëm atë që deshëm, në Shqipëri shihni Skënderbe tjetër!

Pavarësisht goditjes së marrë në fund, trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, nuk ka qenë aspak i shkurajuar në përfundim të ndeshjes së Ligës së Europës. Njeriu i stolit të korçarëve ka dalë i qetë në konferencën për shtyp, duke e vlerësuar me nota shumë të mira paraqitjen e skuadrës së tij, në stadiumin “Maksimir” ndaj Dinamos vendase.

“Morëm atë që deshëm, – tha ai, – ky është rezultat shumë i mirë për ne. Luajtëm një pjesë të parë të madhe. Nuk e kam parë ende videon, por kam marrë shumë mesazhe, për një gol që na është anuluar. Nuk i dhamë shumë kohë dhe hapësirë Dinamos. Do të shihni një Skënderbe tjetër në ndeshjen e kthimit, në Elbasan, ku presim mbështetje të madhe nga tifozët tanë”.

Gjithsesi, kritikë pati. Daja vlerësoi se korçarët gabuan në goditjet e dënimit. “U paralizuam nga goditjet standarde, – tha ai, – në fund u tërhoqëm, por jo sepse ishim të lodhur. Ishte një gabim, ndërsa në fund nuk luajtëm ashtu siç duhet”. Në gjykimin e tij, trajneri tiranas nuk ka ende asgjë të sigurt për kualifikimin.

“Dinamo ka skuadër të madhe dhe nuk mund të flas se kush është i favorizuar, – tha ai, – kualifikimi është i hapur, do të jetë një ndeshje interesante në kthim. Me këtë që bëmë sot, them se kemi hedhur një hap të madh në Ligën e Europës”.

Sfidanti.al