Dënim i butë për Ronaldon, rregullorja thotë edhe 12 ndeshje..

Një goditje e madhe i erdhi Realit të Madridit nga selia e Federatës së Futbollit të Spanjës që publikoi dënimin që ajo i dha Kristiano Ronaldos për gjestin e tij në fushë në ndeshjen e fundit “El Klasiko” mes Barcelonës dhe Realit të Madridit në kuadrin e Superkupës së Spanjës. Ai u dënua që të mos luajë pesë ndeshje, pasi, në këtë ndeshje, shtyu gjyqtarin që i nxori atij kartonin e kuq. Situata në fjalë ndodhi në min. e 82-të, kur, brenda zonës së rreptësisë së Barcelonës, u konfrontuan Ronaldo dhe Umtiti. Ronaldo u rrëzua dhe gjyqtari e klasifikoi rënien si aktrim nga ana e futbollistit portugez, duke i nxjerë atij kartonin e verdhë të dytë. Kartonin e parë Ronaldo e kishte marrë vetëm dy minuta më parë, kur kishte hequr bluzën gjatë festimit të golit që i dha Realit avantazhin 1-2.

Pezullimi prej pesë ndeshjesh është rezultat i dy faktorëve: i pari, se Ronaldo mori karton të kuq që, automatikisht, do të thotë pezullim prej një ndeshjeje, kurse pezulimi për katër ndeshjet e tjera ka lidhje me shtyrjen me duar nga Ronaldo të gjyqtarit të ndeshjes. Dënimi i Ronaldos mund të konsiderohet i butë, sepse rregullorja e federatës spanjolle për sulmin kundër gjyqtarit parashikon pezullim nga 4 deri në 12 ndeshje.

 

Sfidanti.al