Të gjithë e kujtojnë fundin e kampionatit të kaluar, kur për në Dibër ka udhëtuar vetë presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, i cili çuditërisht kishte marrë me vete bashkëpunëtorët më të afërt, por edhe trajnerin e ekipit Kombëtar, Xhani De Biazi. Në atë kohë askush nuk e kuptoi ekzaktësisht qëllimin e vizitës së pazakontë të Dukës, aq më shumë që kampionati i Kategorisë së Parë ishte në një periudhë shumë të nxehtë dhe përveç Korabit ishin edhe dy skuadra konkurente për t’u ngjitur në superiore, Besëlidhja dhe Kastrioti, por që nuk u vizituan asnjëherë nga shefi i futbollit. Në stadium, De Biazi u prit si një “rock star”, ndërsa Duka premtoi se së shpejti do të fillonin punimet për ndërtimin e stadiumit të ri të Peshkopisë. Që atëherë ka mbetur vetëm fjala, ndërsa tifozët dibranë nuk kanë harruar dhe dje në “Selman Stërmasi” kanë shpalosur një baner (foto e mësipërme), ku i kujtojnë presidentit, se FSHF nuk është Parti që premton pa kriter në çdo fushatë elektorale.