Konte nuk bën shaka, paralajmëron Moratën!

Antonio Konte, mbas mbërritjes në “Stemford Brixh”, menjëherë, vendosi një regjim të veçantë lidhur me gjendjen fizike të lojtarëve të vet, kështu që vërejtja në këtë drejtim nuk mungoi as në adresë të përforcimit të ri më të shtrenjtë të fundit të Celsit, Alvaro Morata. Ky futbollist spanjoll erdhi, javën e kaluar, te “blutë” e Londrës, pasi këta të fundit i paguan Realit të Madridit 80 milionë euro, duke u bërë kështu lojtari më i shtrenjtë i blerë në historinë e këtij klubi londinez.

Morata, në fakt, përgatitjet i filloi me Realin, por duket se kampioni i Spanjës nuk stërvitet me të njëjtin intensitet si kampioni i Anglisë. “Morata, pak kohë më parë, ka filluar që të stërvitet me neve, por ai duhet që ta përmirësojë kondicionin e tij fizik që t’i përshtatet sa më shpejt ekipit tonë”, thotë trajneri italian, duke shtuar se “ai po punon mirë, por është shpejt, sepse nuk e ka mbushur as javën”.

Sfidanti.al