“Rrethim demokratik” për Nejmarin, Barcelona dëshiron kthjelltësi!

Më parë foli Pike, pastaj Maskerano dhe në vijim trajneri Valverde. Tashmë erdhi radha e Iniestës, Suarezit dhe presidentit Bartomeu. Opinionet katalanase nga SHBA kanë një emërues të përbashkët: Nejmar duhet të bëjë të qartë se çfarë dëshiron! Pikës i ka rënë Pike, kur është shprehur se “Nejmar është një fëmijë 25 vjeç që nuk di se çfarë kërkon”, ndërsa “Don Andres” apo “Pistolero” Suarez janë treguar më të butë.

“Për ne do të ishte më mirë të qendronte ai sesa të merrnim 200 milionë euro, – thotë mesfushori ish-kampion i botës, – Nejmar është një lojtar i madh, por zgjedhja është personale dhe ne do ta mirëkuptojmë. Do të ishte mirë që të sqaronte gjithçka, sa më shpejt, aq më mirë për skuadrën dhe për atë vetë”. “Sido që të jetë, dashuria jonë nuk do t’i mungojë, – shprehet Suarez, – Nej është një nga 3 lojtarët më të fortë në botë, dhe do të jemi pranë tij, pavarësisht nga zgjedhja që do të bëjë”.

Sa për presidentin Bartomeu, ai flet si një “llogaritar” dhe një “zot shtëpie”. “Duam që Nejmar të qendrojë me ne, – pohon shkurt ai, – gjithsesi ka klauzolë dhe nëse ai dëshiron të largohet, PSG duhet të paguajë të 222 milionë eurot për ta marrë. Me ato para, do të forcojmë skuadrën”.

Sfidanti.al