Ishte Euroligë apo NBA? Çfarë kanë menduar teleshikuesit dhe admiruesit e basketbollit kur kanë ndjekur përballjen mes Makabit dhe Realit në Tel Aviv. Vetëm fanelat ishin të klubeve ndër më të shquarit e historisë së Kupës së Kampionëve, pasi lojtarët kishin prejardhje krejt tjetër.
Më shumë se gjysma e basketbollistëve në parket vinin nga SHBA, ku më pak kishte Realit (që fitoi 89-82) me pesë amerikanë, dhe më shumë Makabi me 8, ndër të cilët njëri i natyralizuar si izraelit. Globalizëm edhe në basketboll, që duket më i theksuar kur vjen puna tek marrëdhëniet mes Amerikës dhe shtetit hebraik.
Edhe më të suksesshmit ishin po ata që kanë ardhur nga përtej Oqeanit Atlantik. Amerikani Xhejs Karroll ishte shënuesi më i mirë për spanjollët me 18 pikë ndaj 16 të Rudi Fernandezit, dhe po një patriot i tij udhëhoqi Makabin. Rud Viktër realizoi 18 dhe Endrju Gudelok shtoi 16 pikë.
Ndeshja ishte e bukur në praninë e 11 000 spektatorëve, me një ritëm që përpiqet t’i afrohet atij në NBA. Madrilenët arritën të shkëputen në dy periodat e para, më pas vendasit kaluan në epërsi, por nuk patën fuqi në stol për të vazhduar deri në fund.
Spanjollët arritën fitoren e dytë në dy javë, po ashtu si italianët e Milanos që fituan në Turqi ndaj Darushafakasë, ndërsa Makabi mbyll tabelën me dy humbje.
B. Kuka