Paraqitja e Pol Pogbasë për Mançester Junajtidit në Ligën e Europës ishte pikërisht ajo për të cilën shpresonin tifozët, dhe media. Blerja më e shtrenjtë e historisë ishte frymëzuesi kryesor i “djajve të kuq” që kaluan fare lehtë ndeshje të rrezikshme ndaj Fenerbahçes, ku francezi shënoi dy gola.
Zhoze Murinjos i erdhi rasti të tregonte se ishte ai që kishte pasur të drejtë, dhe jo kritikët që ishin treguar të paduruar. “Dy ditë më parë ai ishte lojtari më i keq në Premier Ligë, ndërsa pa kaluar mirë 48 orë, ai u bë fenomenal, – tha Murinjo me tallje, – Pogba ka nevojë për kohë. Unë jam i lumtur me paraqitjen e tij, ai ka gjithçka për të cilën ne kemi nevojë”.
Mediat angleze shkruan se ndryshimi erdhi sepse vetë Murinjo e kuptoi se Pogba duhej të luante në një rol tjetër, më pranë portës kundërshtare, dhe duke qenë më i lirë për të vepruar sipas instinktit të tij. Portugezi nuk ishte plotësisht dakord me këtë.
“Unë kam qenë në Itali, – kundërshtoi ai, – dhe e njoh futbollin italian, e di se çfarë ritmi ka ai, çfarë intensiteti. Pogba luajti për 4-5 vjet Serinë A, dhe tani u kthye në Premier Ligë, por nuk është e lehtë të përshtatesh me ndryshimin e ritmit. Unë as nuk e prisja që ai të shkëlqente menjëherë, nuk kam prekjen magjike për të ndryshuar gjërat”.
B. Kuka