Napoli nuk dorëzohet për De Bruyne

Napoli nuk ka ndërmend të heqë dorë nga Kevin De Bruyne gjatë merkatos së janarit. Mesfushori belg, i cili rikthehet sot në qendrën stërvitore të Castel Volturnos për të rifilluar stërvitjen, mbetet pjesë e rëndësishme e planeve të klubit italian për vazhdimin e sezonit.

Ditët e fundit, emri i tij është lidhur me një transferim të mundshëm te PSV Eindhoven, por drejtuesit napolitanë nuk janë të gatshëm ta lejojnë largimin në mes të sezonit. Sipas “Corriere dello Sport”, Napoli e konsideron De Bruyne-n një element të rëndësishëm për të përmirësuar rezultatet dhe për të ngjitur skuadrën në renditje.

Situata mund të ndryshojë vetëm nëse vetë futbollisti kërkon të largohet gjashtë muaj përpara përfundimit të kontratës. Në të kundërt, synimi i klubit është ta mbajë atë deri në fund të sezonit. Më shumë paqartësi ekzistojnë për të ardhmen e belgut pas muajit qershor. PSV kishte nisur kontaktet për të kuptuar nëse Napoli do të aktivizonte opsionin e rinovimit automatik të kontratës edhe për një vit të tretë. Gjatë këtyre bisedimeve, klubi holandez shqyrtoi edhe mundësinë e afrimit të tij që në merkaton e dimrit.

Në Holandë pritet që PSV të bëjë një tjetër përpjekje në janar, por për momentin Napoli është i përqendruar te ndeshjet e radhës. Skuadrën e presin përballjet me Torinon, Sassuolon dhe Leccen, si dhe një sfidë e rëndësishme në Champions League kundër Manchester City-t.

Për De Bruyne-n, kjo e fundit do të jetë një tjetër rikthim në ‘Etihad Stadium’ si kundërshtar i ish-klubit të tij. Edhe sezonin e kaluar ai u përball me Manchester City-n, në një ndeshje që u shoqërua me polemika për shkak të zëvendësimit të tij nga Antonio Conte.