Lionel Messi ka marrë një vendim për të ardhmen e tij të afërt, duke i dhënë fund spekulimeve për një rikthim të mundshëm në futbollin argjentinas gjatë merkatos së janarit. Pavarësisht lidhjes së veçantë me klubin e fëmijërisë, Newell’s Old Boys, legjenda argjentinase nuk ka ndërmend të largohet nga Inter Miami për një huazim të përkohshëm.
Madje, sipas raportimeve, tetë herë fituesi i Topit të Artë është i hapur edhe për mundësinë e rinovimit të kontratës me klubin amerikan. Ndërkohë, në horizont po shfaqet një tjetër mundësi që ka emocionuar tifozët e futbollit: ribashkimi i Messit me Neymarin.
E ardhmja e brazilianit te Santos mbetet e paqartë, ndërsa kontrata e tij po i afrohet fundit, duke shtuar spekulimet për një kalim të mundshëm në MLS. Inter Miami mund të shfrytëzojë këtë situatë për të tentuar transferimin e Neymarit dhe për të rikthyer një treshe që ka shkruar historinë te Barcelona.
Bëhet fjalë për MSN, treshen e famshme të përbërë nga Messi, Luis Suarez dhe Neymar, e cila dominoi futbollin europian mes viteve 2014 dhe 2017. Një ribashkim i tyre në futbollin amerikan do të ishte një nga operacionet më të bujshme në historinë e MLS-së.
Për momentin, Messi mbetet i përqendruar te Inter Miami, ndërsa ëndrra për të parë sërish treshen legjendare në të njëjtën skuadër vazhdon të ushqejë imagjinatën e tifozëve.

