Tenerife shpall tri ditë zi për Jesús de Miguel

Klubi i Tenerifes ka shpallur tri ditë zi pas ndarjes tragjike nga jeta të futbollistit Jesús de Miguel, i cili ndërroi jetë këtë të martë, si pasojë e përplasjes së rëndë të pësuar gjatë ndeshjes kundër Andorrës.

Klubi kanarian e bëri publik lajmin përmes një komunikate prekëse, ku shprehu dhimbjen e thellë për humbjen e lojtarit dhe solidaritetin e plotë me familjen e tij në këto momente të vështira. “Nuk ka fjalë ngushëllimi dhe asgjë që mund ta lehtësojë këtë ndjenjë të mbushur me trishtim”, thuhej në reagimin e mëparshëm të Tenerifes, ku klubi shprehte gjithashtu mbështetjen për familjarët, të afërmit dhe të gjithë tifozët që po përjetojnë këtë humbje.

Drejtuesit e klubit kanë falënderuar të gjithë ata që kanë përcjellë mesazhe solidariteti dhe ngushëllimi pas lajmit tragjik. Njëkohësisht, familja e futbollistit ka kërkuar respekt maksimal për privatësinë e saj, në këtë periudhë të dhimbshme.

Vdekja e Jesús de Miguel ka tronditur futbollin spanjoll, ndërsa mesazhet e ngushëllimit kanë ardhur nga klube, futbollistë dhe figura të shumta të sportit. Tenerife ka vendosur të nderojë kujtimin e lojtarit me tri ditë zi, në shenjë respekti për humbjen e tij.