Pas disa ditësh të vështira për shkak të humbjes në derbi, presidenti i Interit, Beppe Marotta, ka dalë në mbrojtje të skuadrës, duke larguar çdo dyshim mbi atmosferën në dhomën e zhveshjes. Drejtuesi zikaltër ka folur për raportin me trajnerin Cristian Chivu, rinovimet e kontratave dhe mundësinë e përforcimit të sulmit në merkaton e janarit.
“Me Chivu kemi një komunikim të përditshëm. Në grupin tonë nuk ka mollë të kalbura”, deklaroi Marotta për “Sky Sport”, duke theksuar se profesionalizmi i Lautaros dhe shokëve të tij nuk vihet në diskutim.
Një nga temat kryesore mbetet rinovimi i kontratave, por presidenti i Interit nuk shfaq shqetësim. “Nuk jemi në ankth. I vetmi lojtar që është realisht në përfundim të kontratës në qershor është Calhanoglu dhe me të kemi një marrëdhënie shumë të mirë”, tha ai.
Marotta u ndal edhe te Federico Dimarco, duke konfirmuar se mbrojtësi do të vazhdojë të jetë pjesë e projektit zikaltër. Interi ka aktivizuar në marrëveshje klauzolën e zgjatjes së kontratës deri në vitin 2028, ndërsa gjatë këtij viti pritet të firmoset një marrëveshje e re.
“Dimarco dëshiron të qëndrojë dhe ne duam ta mbajmë. Ai do të rinovojë gjatë vitit”, theksoi Marotta.

