Goleadorët e rinj të Abissnet Superiore

Bekim Balaj, pavarësisht vlerave, personalitetit dhe lidershipit te Vllaznia, nuk është i përjetshëm. Sulmuesi dhe kapiteni i shkodranëve, me kalimin e viteve, nuk mund të ruajë të njëjtin ritëm në shënimin e golave.

Prandaj dhe pas 10 ndeshjeve të para të këtij sezoni e sheh veten poshtë në klasifikimin e golashënuesve më të mirë. Vendi i 7-të me 4 gola duket i pazakontë për të, por sigurisht që ky moment do të vinte. Goleadorët e Abissnet Superiore, tani janë të tjerë. Lista ndryshon thuajse totalisht në krahasim me një vit më parë.

Ndryshon, sepse emra si Erald Maksuti, Irgi Kasalla, Dejvi Bregu, Blaise Tsague e Xhonatan Lajthia nuk janë më pjesë e futbollit elitar në Shqipëri. Të gjithë këta sulmues, falë golave të sezonit të shkuar, kanë siguruar një kontratë më të mirë në kampionate të huaja.

Bernard Karrica i Vorës dhe Atdhe Mazari i Elbasanit zënë rreshtin e parë në renditjen e golashënuesve, të dy me nga 6 gola. Karrica sezonin e shkuar u penalizua nga një dëmtim që e mbajti jashtë fushave për shumë kohë. Këtë sezon e ka nisur shumë mirë, ashtu si rivali Mazari, që luan sezonin e parë në Abissnet Superiore dhe është ambientuar shumë mirë.