Viti i maktheve për Lautaron

Kapiteni i Interit po kalon një vit të vështirë për shkak të dëmtimeve fizike. Pas problemit serioz në pulpë sezonin e kaluar, argjentinasi detyrohet të ndalet sërish, këtë herë për shkak të një dëmtimi në kofshën e majtë. Viti 2026 ka qenë i veçantë për Lautaro Martinezin, por jo vetëm për sukseset sportive. Pavarësisht dy trofeve të fituar, titullit të golashënuesit më të mirë dhe një finaleje të Kupës së Botës, kapiteni i Interit është përballur me probleme të vazhdueshme fizike, të cilat kanë ndikuar ndjeshëm në sezonin e tij.

Dëmtimi i fundit në muskujt fleksorë të kofshës së majtë pritet ta mbajë sërish jashtë fushave për rreth një muaj. Në këtë mënyrë, koha e përgjithshme e mungesave të argjentinasit gjatë vitit 2026 do t’i afrohet 100 ditëve, ndërsa numri i ndeshjeve të humbura pritet të shkojë në 18. Problemet nisën më 18 shkurt, gjatë transfertës së Ligës së Kampionëve kundër Bodo/Glimt. Në fushën sintetike të stadiumit “Aspmyra”, Lautaro pësoi një dëmtim në pulpë që e detyroi të qëndronte jashtë për një periudhë të gjatë.

Mungesa e tij u ndie menjëherë nga zikaltrit, të cilët u eliminuan nga norvegjezët në fazën e play-off-it të Champions League. Sulmuesi humbi ndeshje të rëndësishme, mes tyre derbin e humbur nga Interi dhe përballjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Italisë kundër Comos.

Lautaro u rikthye më 5 prill, në ndeshjen kundër Romës, ku tregoi menjëherë rëndësinë e tij me dy gola vendimtarë. Megjithatë, përpjekja për t’u rikthyer sa më shpejt pati pasoja, pasi dëmtimi u përsërit dhe e detyroi të ndalej për rreth 20 ditë të tjera. Në total, deri në rikthimin e shkurtër kundër Romës, Lautaro kishte regjistruar 74 ditë mungesë dhe kishte humbur 11 ndeshje. Në këto takime, Interi arriti pesë fitore, katër barazime dhe pësoi dy humbje. Tani, me dëmtimin e ri, pritet të mungojë edhe rreth një muaj, duke humbur shtatë ndeshje të tjera.