Interi merr një lajm të keq, Curtis Jones jashtë për rreth 20 ditë

Interi ka marrë një lajm të keq para rikthimit të kampionatit. Curtis Jones ka pësuar një dëmtim muskulor dhe do të mungojë për rreth 20 ditë, duke humbur kështu ndeshjen e së shtunës ndaj Parmës. Mesfushori anglez, një prej afrimeve më të rëndësishme të Interit gjatë merkatos së verës, u ndal gjatë një seance stërvitore. Kontrollet mjekësore kanë evidentuar një tërheqje muskulore në aduktor, që do ta detyrojë lojtarin të qëndrojë jashtë fushave për disa javë. Jones kishte fituar terren gjatë periudhës së pushimit të kampionatit, pasi ishte stërvitur rregullisht me pjesën tjetër të skuadrës dhe ishte kandidat serioz për të nisur titullar ndaj Parmës.

Trajneri Cristian Chivu e shihte ish-lojtarin e Liverpoolit si një alternativë të rëndësishme për mesfushën, por dëmtimi ka ndryshuar planet e tij. Jones u transferua te Interi gjatë verës për 30 milionë euro, plus 5 milionë euro të tjera në formën e bonuseve, ndaj pritshmëritë për të kanë qenë të mëdha. Në mungesë të tij, Chivu pritet të riformojë mesfushën. Hakan Calhanoglu, i cili gjithashtu ka kaluar një problem fizik së fundmi, pritet të rikthehet në rolin e organizatorit përballë mbrojtjes. Një tjetër alternativë është Piotr Zielinski, i cili rikthehet te Interi pas angazhimeve me kombëtaren e Polonisë. Mesfushori ka luajtur plot 327 minuta në katër ndeshje, të gjitha si titullar, gjatë kësaj periudhe. Për vendet e tjera në mesfushë mbeten në dispozicion edhe Henrikh Mkhitaryan dhe Petar Sucic, të cilët janë kandidatë për të nisur nga minuta e parë. Dëmtimi i Jones është një shqetësim i rëndësishëm për Chivun, sidomos në një moment kur Interi po përgatitet për një seri ndeshjesh të rëndësishme në kampionat dhe Europë.