Usain Bolt: “Doja të isha mes më të mëdhenjve dhe e realizova ëndrrën”

Usain Bolt vazhdon të mbetet një nga figurat më të mëdha të historisë së atletikës. Legjenda xhamajkane ishte ambasador i kampionatit të ri “Ultimate” në Budapest dhe gjatë qëndrimit në kryeqytetin hungarez foli për karrierën, atletikën e sotme dhe jetën pas tërheqjes. 40-vjeçari u shfaq entuziast për rikthimin në pistën e atletikës, edhe pse këtë herë jo si protagonist i garave. “Kur dola për të ecur në vijën e finishit dhe pashë publikun duke më duartrokitur, ishte magjike. E ndjeva atë energji të veçantë. Si sportist, të mungojnë këto emocione dhe adrenalina. Por tani nuk është më koha ime dhe duhet t’u lëmë vend brezave të rinj”, tha Bolt.

I pyetur për dominimin e sprintit në vitet e ardhshme, ai shmangu parashikimet. “Kam ndaluar së bëri parashikime. Thjesht vëzhgoj dhe shijoj garat, si të gjithë të tjerët”, u shpreh ai. Bolt foli edhe për rekordin e tij botëror në 100 metra, 9.58 sekonda, i cili së fundmi u përdor si referencë nga një robot humanoid që e kaloi këtë kohë. Xhamajkani e priti me humor. “Më bëri të qesh. Por fakti që flasin për mua dhe më marrin si pikë referimi tregon se sa i mirë kam qenë”, deklaroi ai.

Ish-sprinteri pranoi se objektivi i tij gjatë karrierës ishte të hynte në historinë e sportit. “Doja të isha mes më të mëdhenjve në historinë e sportit dhe mund të them se, tani që jam tërhequr, e kam realizuar ëndrrën. Doja që kur të flitej për Muhammad Aliun, Michael Jordanin dhe figura të tjera të mëdha, të përmendej edhe emri im. Jam i lumtur që jam pjesë e asaj bisede”, tha Bolt. Sa i përket jetës së tij sot, ai tregon se ka një ritëm të ngarkuar, sidomos me tre fëmijët, aktivitetet bamirëse dhe udhëtimet. Ndërkohë, siguroi se vazhdon të stërvitet rregullisht. “Jam në formën më të mirë të jetës sime”, ishte mesazhi i tij për fansat.